Secondary Adv

Bordi rrit çmimin e naftës në 210 lekë për litër

Vendimi i fundit sjell rritje të lehtë të karburanteve, me naftën në 210 lekë dhe benzinën në 176 lekë për litër.

Bordi i Transparencës ka vendosur një tjetër rritje të çmimeve të karburanteve në vend, duke e çuar çmimin e naftës në 210 lekë për litër, me një rritje prej 3 lekësh krahasuar me vendimin e mëparshëm. Ndërkohë, benzina është shtrenjtuar me 2 lekë për litër.

 

Sipas vendimit të marrë në mbledhjen e datës 17 prill 2026, çmimi i shitjes me pakicë i gazoilit të standardit SSH EN 590 nuk duhet të kalojë 210 lekë/litër, ndërsa çmimi me shumicë është përcaktuar në maksimum 198 lekë/litër.

 

Për benzinën, çmimi tavan në pakicë është vendosur 176 lekë/litër, ndërsa në shumicë 164 lekë/litër.

 

Vendimi hyn në fuqi menjëherë

Çmimet e reja kanë hyrë në fuqi që nga data 17 prill, ora 16:00, dhe do të mbeten të pandryshuara deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, ku do të reflektohen luhatjet e reja të tregut.

 

Autoritetet kanë paralajmëruar operatorët e tregut të karburanteve për zbatimin e detyrueshëm të këtij vendimi, duke theksuar se çdo shkelje do të shoqërohet me masa administrative, deri në pezullim të aktivitetit.

 

Akciza mbetet në nivel të plotë

Sipas sqarimit zyrtar, çmimet aktuale të karburanteve janë ende nën kufirin prej 220 lekë/litër për naftën dhe 200 lekë/litër për benzinën, prag mbi të cilin aktivizohet ulja e akcizës me 20 për qind.

 

Për këtë arsye, akciza vijon të aplikohet në nivelin e plotë 100 për qind, duke mos reflektuar ende asnjë lehtësim fiskal për konsumatorët.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat